Zgjedhjet e 9 shkurtit dëshmuan se në Kosovë është i pamundur kompromisi

Zgjedhjet e 9 shkurtit dëshmuan se në Kosovë është i pamundur kompromisi
Zgjedhjet e 9 shkurtit dëshmuan se në Kosovë është i pamundur kompromisi

Gani Qarri

  • 17 December 2025 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Është shumë e habitshme pikëpjekja – jo e rastësishme, as krejt koincidenciale – e opozitës dhe e ashtuquajturës “Listë Serbe”. Derisa kjo e fundit ankohej pse dolën numër aq i madh i shqiptarëve në raundin e dytë të votimeve komunale në Mitrovicë dhe zgjedhjet i fitoi Faton Peci, opozitën, përpos ankesave për fitoren e Pecit në Mitrovicë, tani e ka kapur edhe më fort sikleti se pse z. Albin Kurti po kërkon “pjesëmarrje masive” në zgjedhje të qytetarëve në vend dhe të mërgatës në diasporë. Pasi që, siç kishim rastin ta shihnim, opozita bëri gjithçka që të pengohej me çdo kusht pjesëmarrja e diasporës në votime, duke angazhuar edhe gjykatat kundër të drejtës së pjesëmarrjes së mërgatës në zgjedhjet e 28 dhjetorit, prandaj dhe është kaq e rëndësishme për Albin Kurtin, qytetarët dhe vetë shtetin e Kosovës që ai kësaj radhe të shënojë triumf, e jo vetëm fitore “më të madhe”, në vend se të jetë vetëm i pari në zgjedhje.

 

-Përgjigjen më të qartë se pse kryeministri në detyrë, z. Albin Kurti, insiston për pjesëmarrje masive në zgjedhje dhe pse është aq e rëndësishme, jo vetëm për të, por edhe për vetë Kosovën që të arrijë në këto zgjedhje një fitore triumfale, e ka dhënë bllokada mbi 9-mujore me ngërçin e paprecedent që partitë opozitare i shkaktuan gati për një vit vendit dhe e lanë Kosovën pa Qeveri e institucione legjitime shtetërore, pa buxhet të votuar dhe pa miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, duke përkeqësuar jetesën e qytetarëve, duke rrezikuar qëllimisht funksionalitetin e shtetit dhe duke e çuar me vetëdije në humbjen e mbi 200 milionë eurove të ndara nga BE-ja dhe Banka Botërore për Kosovën, të cilat tani, sipas rregullave, do t’i marrin Serbia dhe shtetet tjera hegjemoniste fqinje, për shkak të mosvotimit të opozitës, bllokimit të formimit të institucioneve nga ana e saj dhe detyrimit të Kosovës që, brenda më pak se një viti, të shkojë katër herë në zgjedhje.

Për rrjedhojë, duke parë edhe se në çfarë ujërash të pasigurta mund të detyrohet sërish të zhytet Kosova nga inskenimet e sinkronizuara të një opozite kaq të shantazhuar dhe në koketim jo vetëm rastësor me të ashtuquajturën “Listë Serbe”, kërkesa e drejtpërdrejtë e kryeministrit të vendit për mbështetje nga diaspora dhe apeli për qytetarët brenda Kosovës që të angazhohen më shumë në politikë, pikësëpari është në të mirën e vendit dhe jo vetëm në favor të Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Arsyeja është fare e thjeshtë, pra që të mos vijë më te përsëritja e insinuatave të sapo përjetuara për gati një vit, gjë që mund të mënjanohet vetëm me një “fitore triumfale dhe vërtet të madhe”, për krijimin e një shumice të fortë parlamentare e qeverisëse, të fuqishme për votimin e ligjeve dhe miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, pa të cilat u pa mirëfilli se çfarë mund të ndodhë në Kosovë me një opozitë e cila mendon vetëm për mbrojtjen e pasurive të grumbulluara në forma e mënyra ende të pasqaruara deri në fund ligjërisht, e cila, po nuk u nda shapi nga sheqeri edhe kësaj radhe, ka dëshmuar publikisht se nuk heziton që, për interesa personale e grupore, ta çojë në falimentim edhe shtetin e Kosovës.

Skandalet e inskenuara mbi 9-mujore, ashtu siç thotë edhe kryeministri në detyrë, determinojnë vërtet një fitore që shndërrohet në triumf; ndryshe, vetë votimet e 9 shkurtit dëshmuan në mënyrën më të vrazhdët se si, në një Kosovë kaq të vogël, me gjithë këto parti aspak të nevojshme, është i pamundur kompromisi dhe gjetja e zgjidhjes optimale për formimin e Qeverisë dhe institucioneve të qëndrueshme shtetërore.

Kështu që, nëpër uverturat nëpër të cilat aktualisht po kalon Kosova, njëmend nuk mjafton më të jesh vetëm i pari, por duhet një fitore mbizotëruese, në mënyrë që të mund të realizohet pa probleme dhe zhargitje të mëtejme formimi i institucioneve të shtetit dhe të mos përsëritet mbetja e vendit pa qeveri legjitime e qeverisje normale, si në vitin që po e lëmë pas. Prandaj dhe është plotësisht me vend apeli i kryeministrit që të ketë pjesëmarrje sa më masive të qytetarëve në zgjedhje dhe të votohet në mënyrë demokratike për shënimin e një fitoreje vërtet të madhe, ngase pa një triumf të njëmendtë dhe fitore më të madhe se i pari, i dyti dhe i treti së bashku, sërish nuk do të mjaftojnë numrat për formimin edhe të Kuvendit edhe të Qeverisë, miratimin e vendimeve jetike, votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, avancimin e shtet-ndërtimit dhe mbarëvajtjen e Republikës së Kosovës.

Duke shpresuar në vetëdijesimin e qytetarëve, pas katrahurës së përjetuar mbi 9-mujore me serialin e lojërave të inskenuara episodike të opozitarëve, të cilët, përveçse nuk u mjaftuan me bllokimin e krijimit të Qeverisë dhe institucioneve tjera shtetërore, nuk e votuan as buxhetin e shtetit dhe kundërshtuan pa asnjë arsye edhe miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, votuesi i Kosovës përfundimisht duhet ta reduktojë në maksimum numrin e partive politike në Kosovë, duke votuar vetëm për dy parti. Derisa edhe superfuqia botërore si SHBA-të, me rreth 345 milionë banorë, kultivon në mënyrën më të përsosur pluralizmin dhe zhvillon demokracinë në mënyrën më të avancuar në botë vetëm me dy parti politike, ndaj për një Kosovë me vetëm 1.6 apo 2.6 milionë banorë, bashkë me njerëzit e saj në diasporë, pas zhvillimeve skandaloze të nëntë muajve të fundit, do të ishte luks i pamanovrueshëm, akt i pafalshëm dhe dëm i pariparueshëm që të vazhdojë të ketë më shumë se dy parti, me të cilat gjithmonë do të mbante zgjedhje të suksesshme e do të nxirrte një fitues plebishitar nga votimet parlamentare dhe nuk do të mbetej vendi asnjëherë pa Qeveri e institucione legjitime shtetërore, siç po ndodh jo vetëm aktualisht në vendin tonë, ende me shtet-ndërtim të papërfunduar.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".