Hapja e ‘Kutisë së Pandorës’ në Ballkan mund të ndryshojë gjithçka për Republikën e Kosovës!

Hapja e ‘Kutisë së Pandorës’ në Ballkan mund të ndryshojë gjithçka për Republikën e Kosovës!
Hapja e ‘Kutisë së Pandorës’ në Ballkan mund të ndryshojë gjithçka për Republikën e Kosovës!

Florim Zeqa

  • 17 December 2025 - 07:40

Shkruan: ANALISTI-Florim Zeqa

Justifikimet e Albin Kurtit që, pavarësisht momenteve të tensionit dhe kritikave nga SHBA-të, partneriteti Kosovë–SHBA mbetet i fortë dhe i pazëvendësueshëm, janë të mbështjella me të pavërteta dhe hipokrizi! Qëndrimi i Kurtit se sovraniteti dhe siguria e Kosovës janë më të rëndësishme sesa ruajtja e marrëdhënieve pa tension me aleatët ndërkombëtarë, paraqet një realitet të shtrembëruar për qëllime elektorale! Kur e them këtë, kam parasysh faktin se siguria, sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës janë aq ngushtë të lidhura me raportet ndërkombëtare, përkatësisht me SHBA-të, aleatin kryesor dhe ekzistencial të vendit tonë, saqë lirisht mund të themi se, pa mbështetjen e Amerikës, as që mund të mendohet qëndrueshmëria e lirisë dhe pavarësisë sonë në Ballkanin e trazuar dhe Evropën gjithnjë e më të pabalancuar, për shkak të erërave të luftës në kontinentin tonë!

 

 

Andaj, “rezultatet në veri të Kosovës (mbyllja e institucioneve serbe dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar) në asnjë rrethanë nuk i arsyetojnë qëndrimet rigoroze të Kurtit ndaj Serbisë, edhe kur ato sjellin mospajtime me SHBA-të”, për shkak se një përmbysje eventuale e raporteve të Kosovës me SHBA-të do t’i jepte fund ekzistencës së Republikës së Kosovës në hapësirat ballkanike!

Zgjedhjet e fundit komunale e përmbysën rezultatin në katër komunat veriore me shumicë serbe, apo “suksesin” provizor të Kurtit në veri!

Tashmë situata ka ndryshuar rrënjësisht në veri; kemi hapje të sërishme të komunave serbe, pa simbole të shtetit të Kosovës!

Këtë e kemi ditur të gjithë se do të ndodhte një ditë, por, si zakonisht, ne jemi kënaqur me diçka tepër simbolike dhe të përkohshme, siç ishte “qeverisja” e katër shqiptarëve me serbët shumicë të pjesës veriore!

Enigmë e madhe mbetet mbajtja e kontrollit të plotë në atë pjesë pas zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit 2025!

Fillimi i vitit 2026 do të jetë sfidë e madhe dhe e paparashikueshme për institucionet e reja të Kosovës në zbatimin e Marrëveshjeve të Brukselit dhe Aneks-Marrëveshjes së Ohrit!

E gjitha varet nga niveli i marrëdhënieve me aleatët perëndimorë, në veçanti me SHBA-të, me ndihmën e të cilëve kemi rrugëtuar për 16 vjet si shtet i pavarur dhe sovran!

Lutem që pas certifikimit të rezultatit zgjedhor dhe pas 17 shkurtit 2026 të dalim më të bashkuar dhe më unikë në riparimin e marrëdhënieve me SHBA-të, garantuesin e lirisë dhe pavarësisë së vendit tonë!

Në fund, dëshiroj të ritheksoj se, me SHBA-të përkrah nesh, siguria e përgjithshme, integriteti territorial dhe sovraniteti i shtetit mbeten të panegociueshme; në të kundërtën, nga hapja e “Kutisë së Pandorës” në Ballkan mund të ndryshojë gjithçka për Republikën e Kosovës!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".