Ylli i Liverpoolit punëson truproje
Liverpooli pati edhe një ndeshje tjetër zhgënjyese këtë fundjavë. Leeds United u rikthye dhe shënoi një gol në minutat e fundit për të ndarë pikët.
Presioni mbi Arne Slot tashmë padyshim po rritet. Ndërsa ndeshja e radhës ndaj Inter Milan në Champions League mund të jetë vendimtare për të ardhmen e tij.
Ndërkohë, një tjetër yll i Liverpoolit ka kaluar nëpër një periudhë të vështirë për shkak të përndjekjes nga një milioner.
Sipas “The Sun”, mesfushorja e Liverpoolit u detyrua të punësonte një truproje pasi u përndoq në mënyrë të vazhdueshme nga një biznesmen milioner, ka dëgjuar gjykata.
24-vjeçarja u tmerrua kur biznesmeni i dërgoi vazhdimisht mesazhe eksplicite në Instagram, të cilat përfshinin numrin e tij të telefonit dhe ftesa për ta vizituar.
Ngacmimi u përkeqësua deri në atë pikë sa Marie Hobinger emëroi një “oficer sigurie” për ta shoqëruar në hyrje–dalje të ndeshjeve në Women’s Super League.
Situata u rëndua në shkurt, kur Mangal Dalal udhëtoi nga Londra për të parë Liverpoolin kundër Manchester City në “Etihad Stadium”, ku u pa duke e pritur pranë fushës.
Policia u thirr menjëherë. 42-vjeçari është një biznesmen i divorcuar nga Marylebone. Ai ka pranuar përndjekjen, por ka pretenduar se ishte i paqëndrueshëm mendërisht në atë kohë.
Magjistratët e Liverpoolit i dhanë atij lirimin me kusht deri në shpalljen e dënimit në janar.
Gjithashtu vendosën kushte strikte që i ndalojnë atij të kontaktojë Hobingerin ose të përmendë atë online.
Gjykatësi James Clarke tha: “Kam lexuar dokumentet, dhe nuk mendoj se ky rast është i përshtatshëm vetëm për një gjobë. Jam gjithashtu i shqetësuar që çështja më herët është shtyrë për një raport psikiatrik. Dua që shërbimi i provës ta vlerësojë për të parë nëse ka diçka që ata rekomandojnë”.
Rasti është transferuar në Gjykatën e Magjistratëve në Westminster për shqiptimin e dënimit më 20 janar.
Reprezentuesja austriake ka fituar dy tituj kampioni dhe Kupën e Zvicrës me FC Zurich Frauen.
Ajo iu bashkua Liverpool Women në korrik 2023 dhe që atëherë është bërë një figurë kyçe për ekipin.
(Kosova Sot Online)
